Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK Approfondisci
Governo Italiano

Faza Dy, pyetje të shpeshta rreth masave të miratuara nga Qeveria

 

Faza Dy, pyetje të shpeshta rreth masave të miratuara nga Qeveria

1 Qershor 2020

Faq të azhurnuara në vijim të hyrjes në fuqi të Dekretit të ligjit 16 maj 2020,n.33 dhe të DPKM 17 maj 2020

 

  1. A mund të lëviz jashtë rajonit?

    Deri në 2 qershor 2020, lëvizjet jashtë rajonit tuaj do të lejohen vetëm për arsye pune, urgjence absolute ose për arsyet tuaja shëndetësore ose të një të afërmi të afërt që ka nevojë. Duke filluar nga 3 qershori, do të lejohet përsëri të lëvizet midis rajoneve të ndryshme për çfarëdo arsye. Lëvizjet ndër-rajonale mund të jenë sidoqoftë të kufizuara, vetëm me masa shtetërore (dekretet e Presidentit të Këshillit të Ministrave ose dispozitat e Ministrit të Shëndetësisë), që kanë të bëjnë me zona specifike të territorit kombëtar, sipas parimeve të përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit me rrezikun epidemiologjik që aktualisht ekziston në këto zona.

  2. A ka kufizime në lëvizjet për ata që kanë simptoma të infeksionit të frymëmarrjes dhe temperaturë më të lartë se 37.5?

    Subjektet me simptoma të infeksionit të frymëmarrjes dhe temperaturë (më të lartë se 37.5° C) duhet të qëndrojnë në banesën e tyre, të kufizojnë në maksimum kontaktin me persona të tjerë dhe të kontaktojnë mjekun e tyre.

  3. Kush është në masën e karantinës a mund të lëvizë?

    Parashikohet një "ndalim absolut" i largimit nga shtëpia për ata që janë në karantinë ose rezultojnë pozitivë ndaj virusit.

  4. Kush ndodhet jashtë shtëpisë ose vendbanimit të tij a mund të kthehet?

    Po. Dekreti parashikon që kthimi në banesë apo vendbanim është i lejueshëm në çdo rast edhe pse kjo ka si pasojë lëvizjen midis rajoneve të ndryshme.

  5. Jam një vullnetar i Mbrojtjes Civile: a mund të lëviz nga komuna në të cilën ndodhem aktualisht për të kryer punën time që ka të bëjë me menaxhimin e emergjencës?

    Po, ndalimi i lëvizjes nga rajoni në të cilën ndodhesh nuk ka të bëjë me ata që kryejnë aktivitete vullnetare në fushën e Shërbimit Kombëtar të Mbrojtjes Civile ose sidoqoftë që janë angazhuar si vullnetarë për të përballuar emergjencën shëndetësore (p.sh. vullnetarët e Kryqit të Kuq Italian) duke qenë se bëhet fjalë për aktivitete që janë në të njëjtin nivel me aktivitetet e punës.

  6. Operatori vullnetar i shërbimit civil universal a mund të lëvizë për nevoja të lidhura me kryerjen e shërbimit?

    Po, mund të lëvizë sepse këto nevoja lëvizjeje janë në të njëjtin nivel me “nevojat e punës” që sipas DPKM justifikojnë lëvizjen në hapësirat dhe afatet kohore të kërkuara nga nevojat e shërbimit.

  7. Pasi të jeni kthyer në vendbanimin / shtëpinë / vendqëndrimin tuaj, a mund të zhvendoseni përsëri jashtë rajonit të vendbanimit / shtëpisë / vendqëndrimit?

    Deri më 2 qershor 2020, lëvizja midis rajoneve të ndryshme lejohet vetëm në rastet kur ka: nevoja pune të cilat mund të vërtetohen ose urgjencë absolute ose arsye shëndetësore (shiko FAQ specifike). Për këtë arsye, pasi të jeni rikthyer në vendbanimin / shtëpinë / vendqëndrimin tuaj edhe duke ardhur nga një rajon tjetër, deri në të njëjtën datë, nuk do t'ju lejohet të lëvizni jashtë kufijve të rajonit në të cilin gjendeni, nëse nuk ndodhin një nga arsyet e ligjshme për të lëvizur si të cekura më lart.

  8. Nëse unë jetoj në një Rajon dhe punoj në një tjetër, a mund të bëj lart e poshtë?

    Në këto raste, lëvizja është e justifikuar për nevoja pune nëse nuk është e mundur të punosh nga shtëpia ose të marrësh pushime apo leje (congedi).

  9. Jam i ndarë / i divorcuar, a mund të shkoj të vizitoj fëmijët e mi të mitur?

    Po. Lëvizjet për të arritur tek fëmijët e mitur që janë me prindin tjetër ose në çdo rast me kujdestarin, ose për t'i marrë ata me vete, lejohen edhe jashtë rajonit. Këto lëvizje duhet të kryhen, në çdo rast, duke respektuar të gjitha rregullat e llojit shëndetësor (persona në karantinë, pozitivë dhe me aftësi të kufizuara imunitare) por edhe sipas mënyrave të parashikuara nga gjyqtari në vijim të masave të ndarjes ose divorcit ose në mungesë të këtyre masave, sipas marrëveshjeve midis prindërve.

  10. A lejohet hyrja në parqe dhe kopshte publike?

    Po, hyrja e publikut në parqe, vila dhe kopshte publike lejohet, me kusht që të respektohet rreptësisht ndalimi i të gjitha formave të tubimeve dhe distanca e sigurisë ndërnjerëzore prej një metri.

  11. Unë kam një fëmijë të mitur / jam duke u kujdesur për një fëmijë ose një person që nuk është plotësisht i vetë-mjaftueshëm, a mund ta shoqëroj atë në një park, një vilë apo një kopsht publik?

    Po, në rastin e të miturve ose personave që nuk janë plotësisht të vetë-mjaftueshëm, lejohet prania e një shoqëruesi për aktivitete motorike në parqe, vila ose kopshte publike. Detyrimi i ruajtjes së distancës të sigurisë ose i mbajtjes së maskës nuk vlen për subjektet të cilët bashkëjetojnë. Ndërsa për sa u përket personave të cilët nuk bashkëjetojnë, maska është e detyrueshme si një alternativë e respektimit të distancës së sigurisë, me përjashtim të të miturve nën moshën gjashtë vjeç dhe në rastin kur përdorimi i saj është i papajtueshëm me nevojat që lidhen me aftësinë e kufizuar specifike të subjektit.

  12. A lejohet hyrja dhe përdorimi i zonave të lojërave për fëmijë?

    Aksesi i të miturve lejohet, madje së bashku me anëtarët e familjes ose persona të tjerë që jetojnë zakonisht bashkë ose që janë deleguar për kujdesin e tyre, në zonat e lojrave brenda parqeve, vilave dhe kopshteve publike, që të kryejnë aktivitete lojërash ose zbavitëse në natyrë, në përputhje me linjat udhëzuese të departamentit për politikat familjare (shtojca 8 e DPKM 17 maj 2020).

  13. A lejohet të lëvizet në territorin kombëtar, për ushtrimin e profesioneve që kërkojnë operacione në vend, si në rastin e ekspertizave, rilevimeve topografike-kadastrale dhe / ose matjeve të tokës dhe / ose ndërtesave?

    Po, gjithmonë në përputhje me rregulloret aktuale për kontrollimin e infektimit. Arsyet e lëvizjes duhet të lidhen vetëm me nevojat e punës dhe në çdo rast duhet të dëshmohen, edhe me anë të vetë-çertifikimit.

  14. Cilat janë rregullat për përdorimin e transportit publik?

    Qasja në transportin publik ndodh me kufizime për të garantuar mundësinë e respektimit të distancimit ndërnjerëzor. Përdorimi i maskës ose i pajisjeve të tjera mbrojtëse të rrugëve të frymëmarrjes është i detyrueshëm. Në detaj, rregullat në lidhje me transportin publik tregohen në Shtojcën 14 të DPKM të 17 majit 2020. Duhet të ndiqen gjithashtu udhëzimet e autoriteteve lokale kompetente dhe personelit përgjegjës për transportin.

  15. Çfarë është planifikuar për transportin publik të rregullt?

    Për të kundërshtuar dhe për të kufizuar përhapjen e virusit COVID-19, aktivitetet e transportit publik të rregullt në vijë tokësore, detare, hekurudhore, ajrore, liqenore dhe në ujra të brendshme kryhen, gjithashtu edhe në bazë të dispozitave të "Protokollit rregullator të përbashkët për kontrollimin e përhapjes së COVID-19 në sektorin e transportit dhe logjistikës " të nënshkruar me datë 20 Mars 2020, sipas Shtojcës 14 të Dekretit të Presidentit të Këshillit të Ministrave (DPKM) i 17 majit 2020, si dhe në bazë të" Udhëzimeve për informacion për përdoruesit dhe metodat organizative për kufizimin e përhapjes së COVID-19 ", sipas shtojcës 15 të së njëjtit DPKM.

  16. A është i mundur përdorimi i makinave dhe mjeteve të tjera të transportit midis personave që nuk bashkëjetojnë?

    Po, me kusht që të respektohen të njëjtat masa parandalimi që janë të parashikuara për transportin (taksi, NCC): domethënë, me praninë e vetëm shoferit në pjesën e përparme të makinës dhe dy pasagjerëve më së shumti për çdo rresht shtesë të sediljeve të pasme, me detyrimin për të gjithë pasagjerët të mbajnë maskën. Detyrimi për të mbajtur maskën mund të hiqet vetëm nëse makina është e pajisur me një ndarës fizik (plexiglas) midis rreshtit të përparmë dhe të pasëm të makinës dhe në këtë rast lejohet prania e vetëm shoferit në radhën e përparme dhe të vetëm një pasagjeri për radhën e pasme. Sidoqoftë, asnjë prej këtyre kufizimeve nuk zbatohet nëse mjetet përdoren vetëm nga persona të cilët bashkëjetojnë.

  17. Shoqërova një person të sëmurë në departamentin e urgjencës ose në urgjencë (DEA / PS), a mund të pres gjatë kësaj kohe në sallën e pritjes?

    Jo, shoqëruesve të pacientëve në departamentin e urgjencës ose në urgjencë (DEA / PS) nuk u lejohet të qëndrojnë në sallat e pritjes, përveç nëse nuk jepen udhëzime të ndryshme nga personeli shëndetësor përgjegjës.

  18. Unë jam një i afërm ose i njohur i një pacienti të vendosur në një strukturë të kujdesit afatgjatë, ose në një qendër për asistencë shëndetësore (RSA), ose në hospice, ose në struktura rehabilitimi, për të moshuarit, të vetë-mjaftueshëm dhe jo, a mund të shkoj ta vizitoj atë?

    Hyrja në këto struktura nga të afërmit dhe të njohurve të pacientëve lejohet vetëm në rastet e treguara nga Departamenti i Shëndetësisë së vetë strukturës, kështu që është e nevojshme të pyesni paraprakisht në Departament për të ditur nëse hyrja lejohet apo jo dhe, nëse po, në çfarë kushtesh.

  19. Cilat janë rregullat për të udhëtuar në dhe nga jashtë?

    Për informacionet për udhëtimet drejt dhe nga jashtë, këshillohet të konsultoni faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

  20. Cilat rregulla vlejnë nga data 3 qershor për lëvizjet drejt dhe nga jashtë shtetit?

    Nga 3 qershori, lëvizjet do të lejohen lirshëm për çdo arsye në dhe nga shtetet e mëposhtme:

    • Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian (përveç Italisë, janë shtete anëtare të BE-së: Austria, Belgjika, Bullgaria, Qipro, Kroacia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Hollanda, Polonia, Portugalia, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Hungaria);
    • Shtetet pjesë të Marrëveshjes së Shengenit (Shtetet jo-anëtare të BE-së, pjesë të Marrëveshjes së Shengenit janë: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia, Zvicra)
    • Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut;
    • Andorra, Principata e Monakos;
    • Republika e San Marinos dhe shteti i qytetit të Vatikanit.

    Nga 3 qershori, personat që hyjnë ose kthehen në Itali nga këto vende nuk do ti nënshtrohen më mbikëqyrjes shëndetësore dhe izolimit të mirëfilltë për 14 ditë, përveç nëse ata kanë qëndruar në vende të ndryshme në 14 ditët para hyrjes në Itali. Për shembull, një person që hyn në Itali nga Franca më 14 qershor do t'i nënshtrohet izolimit të mirëfilltë nëse ka hyrë në Francë nga Shtetet e Bashkuara më 4 qershor por nuk do ti nënshtrohet izolimit nëse lëvizja nga Shtetet e Bashkuara drejt Francës ka ndodhur brenda datës 30 maj ose nëse midis 31 majit dhe 13 qershorit ai ka qëndruar në Gjermani. Nga 3 deri në 15 qershor, për udhëtimet drejt dhe nga shtete të ndryshme sesa ato të listuara më lart do të vazhdojnë të zbatohen të njëjtat rregulla, të cilat deri më 2 qershor vlejnë për të gjitha lëvizjet drejt dhe nga jashtë (shiko FAQ të mëparshme). Për informacione të mëtejshme, ju këshillojmë të konsultoni faqen web të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

  21. Si duhet të sillen punëtorët ndërkufitarë?

    Punëtorët ndërkufitarë mund të hyjnë dhe të dalin qoftë me mjete private qoftë nëpërmjet transportit publik nga territoret në fjalë për të arritur në vendin e punës së tyre dhe për tu kthyer në shtëpi. Palët e interesuara mund të dëshmojnë lëvizjen për arsye pune me çfarëdo mënyre, duke përfshirë vetë-çertifikimin ose dokumentacion tjetër që vërteton marrëdhënie pune me shtetin në kufi (shiko faq të mëparshme). Me punëtor ndërkufitar nënkuptohet, në përputhje me legjislacionin Evropian, çdo person që kryen një veprimtari nën vartësi ose autonome në një shtet dhe që jeton në një shtet tjetër të ndryshëm, në të cilin ai kthehet në parim çdo ditë ose të paktën një herë në javë. Kështu, për shembull, një person që punon në Zvicër dhe jeton në Itali, me kusht që ai zakonisht të kthehet në shtëpinë e tij në Itali të paktën një herë në javë.

  22. A kanë shtetasit e huaj të njëjtat kufizime që vlejnë për italianët?

    Po, kufizimet janë të vlefshme për të gjithë personat e pranishëm ose që synojnë të hyjnë ose të largohen nga territori italian, pavarësisht nga kombësia e tyre.

  1. A është i detyruar punëdhënësi publik ose privat t’u sigurojë të gjithë punonjësve mjetet e nevojshme për të kryer punën në distancë?

    Jo. Nëse Administrata Publike ose punëdhënësi privat nuk mund të sigurojë pajisjet e nevojshme, punonjësi mund të përdorë mjetet informatike e veta për të kryer punën në distancë. Sidoqoftë, Administrata (ose punëdhënësi privat) është i detyruar të marrë të gjitha masat organizative dhe menaxheriale për të siguruar kryerjen e zakonshme të punës në mënyrë të distancuar.

  2. A është e mundur që të aktivizohen iniciativa azhurnimi dhe trainimi në regjimin e punës në distancë?

    Po, është e mundur që të promovohen kurse informimi dhe trajnimi në regjimin e punës në distancë.

  3. Udhëzimet e përmbajtura në shtojcën 12 të DPKM të datës 17 maj 2020, “Protokolli rregullator i përbashkët për kundërshtimin dhe kontrollimin e përhapjes së virusit COVID-19 në ambientet e punës” zbatohen vetëm për sektorin privat apo edhe për Administratën Publike?

    Protokolli vlen vetëm për subjektet private.

  1. Dekreti parashikon për punëtorët, përdoruesit dhe vizitorët e zyrave të administratës publike, në të gjithë territorin kombëtar, vënien në dispozicion të produkteve dezinfektuese për higjenën e duarve. Në rast se ka vështirësi për gjetjen e këtyre produkteve dhe që rrjedhimisht nuk janë të disponueshëm përkohësisht, a duhet që zyrat të qëndrojnë gjithsesi të hapura?

    Zyrat, gjithsesi, duhet të qëndrojnë të hapura. Prania e produkteve dezinfektuese është një masë parandaluese e mëtejshme por jo disponueshmëria e përkohshme e tyre nuk justifikon mbylljen e zyrës, duke vënë në zbatim të gjitha masat e nevojshme për gjetjen e tyre.

  2. Aktivitetet që kërkojnë praninë, a mund të aktivizohen përmes takimit telefonik?

    Po Në Direktivën Nr. 2/2020 të Ministrit të Administratës Publike, theksohet se aktivitetet e pritjes së publikut ose ofrimi i drejtpërdrejtë i shërbimeve për publikun, pa paragjykuar atë që thuhet në të njëjtën direktivë në lidhje me aktivitetet që nuk mund të shtyhen, kryesisht janë të garantuara në mënyrë elektronike ose në çdo rast me metoda të tilla që përjashtojnë ose kufizojnë praninë fizike në zyra (p.sh. takimi telefonik ose ndihma virtuale). Në rastet kur shërbimi nuk mund të ofrohet në mënyrat e lartpërmendura, hyrja në zyrat e lartpërmendura duhet të bëhet me grupe, edhe përmes prenotimeve të takimeve dhe duhet të sigurohet ajrosja e shpeshtë e dhomave. Administratat sigurojnë që të kryhet një dizinfektim i sipërfaqeve dhe i mjediseve dhe që të mbahet një distancë e përshtatshme (e ashtuquajtura distanca droplet) midis operatorëve publikë dhe publikut.

  1. Cilat janë rregullat që duhet të respektojnë tregtarët dhe menaxherët e aktiviteteve tregtare që janë të hapura?

    Rregullat tregohen në shtojcën 11 të DPKM të 17 Majit 2020. Midis tyre janë ruajtja, në të gjitha aktivitetetet, e distancimit social, pastërtia dhe higjena e mjedisit të paktën dy herë në ditë dhe sipas orarit të hapjes. Është gjithashtu e detyrueshme të zbatohen masat kundër infektimit, të tilla si hyrja e vetëm një personi në dyqanet e vogla dhe hyrja e rregulluar dhe me grupe në strukturat më të mëdha, përdorimi i maskave dhe dorashkave për punëtorët dhe ai i xhelit për dezinfektimin e duarve dhe dorashkave një përdorimshe për klientët e supermarketeve, që do të vihen në dispozicion pranë arkave dhe sistemeve të pagesave, si dhe, kur është e mundur, rrugë të ndryshme për hyrjet dhe daljet. Për informacione të mëtejshme referojuni faqes web zyrtare të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

  2. Si duhet të zhvillohen shërbimet për dorëzimin në shtëpi ose ato të marrjes me vete (take away) të ushqimeve të gatshme të kryera nga aktivitetet e specializuara në fushën e ushqimit madje edhe artizanalë?

    Shërbimi i dorëzimit në shtëpi i ushqimeve të gatshme dhe pijeve duhet të kryhet në përputhje me normat higjeniko-sanitare si për paketim ashtu edhe për transport, duke shmangur që në momentin e dorëzimit të ketë kontakte personale në një distancë më të vogël se një metër. E njëjta gjë vlen edhe për shitjen take away të produkteve ushqimore (p.sh. kaush akullore, kapuçino dhe copa pice, etj.) të cilat nuk mund të konsumohen brenda dyqanit ose në afërsi të të njëjtit, për të shmangur tubimet. Për këto arsye, dhe për të zbatuar distancën ndërnjerëzore prej një metri, është e mundur që shitësit të pajisen me një banak për dorëzimin e mallrave në hyrje të dyqanit, ose përndryshe të kufizojnë hyrjen në dyqan, përmes pajisjeve “elimina code” apo prenotime me qëllim respektimin e distancës së sigurisë ndërpersonale të lartpërmendur.

  3. A është e mundur të kryhet një shërbim i marrjes me vete të ushqimit në makinë (drive through) nga ana e kompanive të specializuara në fushën e ushqimit?

    Po, gjithmonë duke mbajtur distancën e sigurisë ndërpersonale të paktën një metër dhe duke respektuar ndalesat për të konsumuar produktet në vendin e shitjes dhe për tu ndaluar në afërsi.

  4. A është e mundur kryerja e vizitës në një shtëpi me qëllim blerjen ose marrjen me qira t ë saj?

    Po. Sidoqoftë, vizitat nga agjentët e pasurive të patundshme me klientët në shtëpitë që do të merren me qira ose do të blihen mund të bëhen vetëm nëse agjenti i pasurive të patundshme dhe vizitorët përdorin maska dhe dorashka për një përdorim duke mbajtur distancën ndërpersonale të paktën prej një metër në çdo kohë dhe mundësisht kur banesat janë të pabanuara.

  5. Strukturat e plazheve (stabilimenti balneari) a janë subjekte të mbylljes?

    Aktivitetet e plazheve (stabilimenti balneari) do të ushtrohen me kusht që rajonet dhe provincat autonome të kenë kontrolluar paraprakisht pajtueshmërinë e kryerjes së veprimtarive të lartpërmendura me ecurinë e situatës epidemiologjike në territoret e tyre dhe me kusht që ata të identifikojnë protokollet ose udhëzimet e përshtatshme për parandalimin ose zvogëlimin e rrezikut të infektimit në sektorin në fjalë ose në sektorë të ngjashëm. Këto protokolle ose udhëzime miratohen nga rajonet ose nga Konferenca e rajoneve dhe provincave autonome në përputhje me dispozitat e DPKM të datës 17 maj 2020 dhe në çdo rast në përputhje me kriteret e përcaktuara në shtojcën 10 të njëjtit. Në çdo rast, për këto aktivitete dhe në plazhe të lira duhet të sigurohet mbajtja e distancimit social, duke garantuar distancën e sigurisë ndërnjerëzore prej një metri, sipas dispozitave të miratuara nga rajonet, të përshtatshme për të parandaluar ose zvogëluar rrezikun e infeksionit dhe duke marrë parasysh karakteristikat e vendeve, të infrastrukturave dhe të lëvizshmërisë. Protokollet ose udhëzimet e rajoneve kanë të bëjnë në çdo rast me:

    1. hyrjen në strukturat e plazheve dhe lëvizjet brenda të njëjtave;
    2. hyrjen e furnizuesve të jashtëm;
    3. mënyrat e përdorimit të zonave të përbashkëta, pa paragjykuar dispozitat specifike të miratuara për aktivitetet e ofrimit dhe shërbimit të ushqimit dhe pijeve dhe restorantit;
    4. shpërndarjen dhe distancimin e vendeve që do të caktohen për plazhistët;
    5. masat higjeniko-sanitare për stafin dhe përdoruesit;
    6. metodat për kryerjen e aktiviteteve zbavitëse dhe sportive;
    7. kryerjen e shërbimit eventual të transferimit në dispozicion të përdoruesve;
    8. metodat e informimit ndaj mysafirëve dhe operatorëve rreth masave të sigurisë dhe parandalimit të rrezikut që duhet të ndiqen brenda strukturave të plazheve;
    9. plazhet me akses falas.
  1. A mund të zhvillohen transmetime televizive të drejtpërdrejta ose të regjistruara në prani të publikut?

    Po, me kusht që të garantohet gjithmonë respektimi i normave shëndetësore, si dhe ato që kanë të bëjnë me distancimin shoqëror qoftë midis publikut ose të ftuarve, qoftë midis personelit artistik dhe publikut ose vetë mysafirëve. Nëse, për arsye prodhimi, nuk është e mundur të garantohet vazhdimisht distanca ndërnjerëzore prej të paktën një metri midis publikut dhe personelit artistik, në çdo rast do të ishte e detyrueshme të vendosni maskën. Sa i përket metodave të punës së personelit artistik, ju lutemi referojuni protokolleve përkatëse profesionale dhe interpretimeve përkatëse të ministrive të sektorit.

  1. A lejohet veprimtaria fizike/lëvizëse apo sportive?

    Po, aktiviteti sportiv ose fizik/lëvizës në natyrë lejohet. Prania e një personi shoqërues për të miturit ose për personat që nuk janë plotësisht të vetë-mjaftueshëm do të jetë e mundur. Është i detyrueshëm respektimi i distancës ndërnjerëzore të paktën prej dy metra, nëse bëhet fjalë për një aktivitet sportiv, dhe prej një metër, nëse është një veprimtari e thjeshtë fizike/lëvizëse. Në çdo rast, tubimet janë të ndaluara. Për të kryer veprimtarinë e sipërpërmendur fizike/lëvizëse ose sportive, lejohet gjithashtu të lëvizni me mjete të transportit publik ose privat për të arritur në vendin e identifikuar për kryerjen e këtyre veprimtarive. Deri më 2 qershor 2020, nuk lejohet kryerja e aktiviteteve fizike ose sportive jashtë rajonit tuaj.

  2. A është e mundur të shkosh në palestër/pishinë?

    Aktiviteti bazik sportiv dhe aktiviteti fizik në përgjithësi që kryhen në palestra, pishina, qendra sportive dhe klube, publike dhe private, ose në strukturat e tjera ku kryhen aktivitete që synojnë mirëqenien e individit përmes ushtrimeve fizike, lejohen në përputhje me rregullat e distancimit social dhe pa asnjë grumbullim, duke filluar nga 25 maji i vitit 2020. Për këto qëllime, janë nxjerrë udhëzime nga Zyra për Sport, në konsultim me FMSI, pa paragjykuar udhëzimet e mëtejshme operacionale të lëshuara nga rajonet dhe provincat autonome. Rajonet dhe Provincat Autonome mund të vendosin një datë të ndryshme më të hershme ose të mëvonshme me kusht që ata të kenë konstatuar paraprakisht pajtueshmërinë e kryerjes së veprimtarive të lartpërmendura me ecurinë e situatës epidemiologjike në territoret e tyre dhe që të identifikojnë protokollet ose udhëzimet e zbatueshme të përshtatshme për parandalimin ose zvogëlimin e rrezikut të infektimit në sektorin në fjalë ose në sektorë të ngjashëm. Këto protokolle ose udhëzime miratohen nga rajonet ose nga Konferenca e rajoneve dhe provincave autonome në përputhje me dispozitat e përmbajtura në protokolle ose në udhëzimet kombëtare.

  1. A mund të mbahen seanca provimesh dhe seanca diplomimi?

    Po, ato mund të kryhen në prani me kusht që të ketë një organizim të hapësirave dhe punës në mënyrë që të reduktohet në maksimum rreziku i afërsisë dhe i tubimit dhe që të merren masat parandaluese dhe mbrojtëse organizative, të kontekstualizuara me sektorin e arsimit të lartë dhe hulumtimit, duke marrë parasysh edhe nevojat specifike të personave me aftësi të kufizuara, të përmendura në "Dokumentin teknik për rirregullimin e mundshëm të masave për të përmbajtur infeksionin SARS-CoV-2 në vendet e punës dhe strategjitë e parandalimit", botuar nga INAIL. Në rast se nuk mund të sigurohet zbatimi i këtyre masave, ose në të gjitha rastet kur prania e studentëve nuk është e mundur, mund të përdoren metoda në distancë. Në këtë rast duhet të sigurohen sidoqoftë masat e nevojshme për të siguruar publikimin e kërkuar.

  2. Çfarë ndryshon për aktivitetet praktike në fushën e hulumtimit dhe arsimit të lartë (stage, aktivitete hulumtimi dhe laboratorike eksperimentale e/ ose didaktike dhe ushtrime)?

    Këto aktivitete mund të fillojnë të kryhen në prani, me kusht që të ketë një organizim të hapësirave dhe punës në mënyrë që të reduktohet në maksimum rreziku i afërsisë dhe i tubimit dhe që të merren masat parandaluese dhe mbrojtëse organizative, të kontekstualizuara me sektorin e arsimit të lartë dhe hulumtimit, duke marrë parasysh edhe nevojat specifike të personave me aftësi të kufizuara, të përmendura në "Dokumentin teknik për rirregullimin e mundshëm të masave për të përmbajtur infeksionin SARS-CoV-2 në vendet e punës dhe strategjitë e parandalimit", botuar nga INAIL Në rast se nuk mund të sigurohet zbatimi i këtyre masave, ose në të gjitha rastet e tjera në të cilat prania e studentëve dhe / ose hulumtuesve nuk është e mundur, do të jetë e mundur të shfrytëzohen, kur është e mundur, edhe mënyrat në distancë.

  1. Çfarë parashikon dekreti për zhvillimin e ceremonive fetare?

    Funksionet fetare me pjesëmarrjen e njerëzve mund të kryhen, me kusht që të respektohen protokollet e nënshkruara nga Qeveria dhe nga besimet përkatëse, të përmendura në shtojcat 1 deri në 7 të DPKM të datës 17 maj 2020.

  2. Çfarë parashikon dekreti për demonstrata?

    Zhvillimi i demonstratave publike lejohet vetëm në formë statike, me kusht që, gjatë tyre, të respektohen distancat e përcaktuara sociale dhe masat e tjera të kontrollit, në përputhje me kërkesat e vendosura nga Questori në bazë të nenit 18 të “Testo unico delle leggi di pubblica sicurezza” të përmendura në dekretin mbretëror të 18 qershorit 1931, n. 773.

  3. Çfarë parashikon dekreti për ngjarje dhe gara sportive?

    Ngjarjet sportive dhe garat sportive të të gjitha llojeve dhe disiplinave, në vende publike ose private, janë të pezulluara në të gjithë territorin kombëtar.

  4. Çfarë parashikon dekreti për ngjarjet dhe spektaklet muzikore, artistike apo kulturore në përgjithësi?

    Shfaqjet e hapura për publikun në sallat e teatrove, në salla koncertesh, në kinema dhe hapësira të tjera edhe në natyrë qëndrojnë të pezulluara deri më 14 qershor 2020. Nga 15 qershori 2020, këto shfaqje do të mbahen me ulëse të paracaktuara e të distancuara dhe me kusht që sidoqoftë të sigurohet respektimi i distancës ndërnjerëzore prej të paktën një metër si për stafin ashtu edhe për spektatorët, me numrin maksimal të 1000 spektatorëve për shfaqjet në natyrë dhe 200 persona për shfaqje brenda, për çdo sallë të vetme. Rajonet dhe provincat autonome mund të vendosin një datë tjetër, në varësi të ecurisë epidemiologjike në territoret e tyre. Aktivitetet e shfaqjeve janë të organizuara sipas udhëzimeve të përcaktuara në shtojcën 9 të DPKM të 17 majit 2020. Qëndrojnë të pezulluara ngjarjet që sjellin grumbullime në hapësira të mbyllura ose në natyrë kur nuk është e mundur të sigurohet respektimi i kushteve tashmë të treguara; Sidoqoftë, aktivitetet që zhvillohen në sallat e vallëzimit dhe diskotekave dhe lokale të ngjashme, jashtë apo brenda, panairet dhe kongreset mbeten të pezulluara.

  5. Çfarë është planifikuar për muzetë dhe vendet e tjera të kulturës?

    Shërbimi i hapjes për publikun të muzeve dhe instituteve e vendeve të tjera kulturore (referuar në nenin 101 të kodit të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit) sigurohet duke marrë parasysh madhësinë dhe karakteristikat e ambienteve të hapura për publikun, si dhe flukset të vizitorëve. Mbi këto baza, duhet të garantohen mënyra shfrytëzimi me grupe ose në çdo rast, të tilla, që të shmangin tubimet e njerëzve dhe t’u lejojnë vizitorëve të respektojnë distancën midis tyre prej të paktën një metër. Shërbimi është organizuar duke marrë parasysh protokollet ose udhëzimet e miratuara nga rajonet ose nga Konferenca e rajoneve dhe provincave autonome. Administratat dhe menaxherët e muzeve dhe të instituteve të tjera dhe vendeve të kulturës mund të identifikojnë masa specifike organizative, për parandalim dhe mbrojtje, si dhe për mbrojtjen e punëtorëve, duke marrë parasysh karakteristikat e vendeve dhe aktiviteteve të kryera.

  6. A mund të shkojmë në kishë ose në vendet e tjera të adhurimit?

    Qasja në vendet e adhurimit bëhet me masa organizative të tilla që të shmangin grumbullimin e njerëzve, duke marrë parasysh madhësinë dhe karakteristikat e vendeve, dhe të tilla që tu garantojnë vizitorëve mundësinë për të respektuar distancën midis tyre prej të paktën një metër.

  7. A lejohen varrimet?

    Po, lejohen duke respektuar distancën ndërnjerëzore prej një metri midis personave që marrin pjesë dhe duke shmangur çdo formë tubimi.

  8. A mund të mbahen mbledhje (të zakonshme ose të jashtëzakonshme), të bashkëpronarëve, të shoqërive aksionare ose personash ose të organizatave të tjera kolektive?

    Mbledhjet e aksionarëve të çdo lloji, bashkëpronësi ose korporata, ose të çfarëdo forme tjetër të organizimit kolektiv, mund të zhvillohen në "praninë fizike" të palëve të thirrura, me kusht që ato të jenë të organizuara në ambiente ose hapësira të përshtatshme, ndoshta edhe jashtë, me qëllim sigurimin e mbajtjes së vazhdueshme të distancës së sigurisë ndërnjerëzore të paktën një metër midis të gjithë pjesëmarrësve dhe duke shmangur në këtë mënyrë çdo formë tubimi, në përputhje me rregullat sanitare të kontrollimit të përhapjes së infeksionit nga COVID-19. Mundësia e mbajtjes së të njëjtave takime në distancë qëndron e vlefshme, pasi është në përputhje me rregulloret specifike në fuqi në lidhje me thirrjet dhe vendimet

  9. Personat që jetojnë në të njëjtën banesë, a janë të detyruar të respektojnë distancimin ndërnjerëzor?

    Jo. Personat që bashkëjetojnë nuk duhet të mbajnë distancimin ndërnjerëzor në vendet publike ose të hapura për publikun, siç janë rrugët, parqet, dyqanet, mjetet e transportit publik dhe privat, teatrot, sallat e koncerteve, sallat e kinemasë dhe hapësira të tjera gjithashtu jashtë; ku nga 15 qershori i vitit 2020 shfaqjet do të fillojnë sërish të zhvillohen.


39194
 Valuta questo sito